1. Biznesi dhe Shoqëria
Qe prej fillimit të lindjes së shoqërive të para private në vitin 1992 ka ekzistuar dhe akoma ekziston një ndjesi vlerësimi për sipërmarrjet private. Konsolidimi i shumë sipërmarrjeve gjate viteve të fundit dhe një trend stabiliteti në ekonominë shqiptare ka rritur besimin e publikut. Nëse në vitet e para të tranzicionit punë e sigurtë konsiderohej punësimi në një ent publik, aktualisht koncepti ka ndryshuar dhe shoqëria është e ndërgjegjshme që baza e punësimit në një sistem te ekonomisë së tregut janë p[pikërisht sipërmarrjet e biznesit. Ajo që vazhdon të mbetet si një perceptim negativ është problemi lidhur me pagesën e plotë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e bizneseve. Kjo nuk është thjesht perceptim por dhe fakt për shkak se problemi i punës së zezë apo dhe punës jo të siguruar me pagën reale janë akoma fakt në një pjesë të mirë të bizneseve, kryesisht të vogla dhe të mesme.
2. Biznesi dhe Politika
Ndikimi i politikës mbi sipërmarrjet e biznesit besoj se është rritur. Nëse në vitet e para mjafton të kishe një ide dhe iniciative atëherë mund të bëje sukses për shkak se tregu ishte i parregulluar dhe mbi të gjitha i pangopur. Rritja e bizneseve dhe ngopja e tregjeve ka bërë që vendimet politike të ndikojnë direkt ose indirekt në sipërmarrjet e biznesit. Pa llogaritur që lidhja direkte e një pjese të bizneseve me politikën ka bërë që suksesi i tyre të përcaktohet në radhë të parë nga suksesi i forcave politike me të cilat janë më afër.
3. Biznesi dhe Fqinjesia
Një pjese e bizneseve të mëdha, të tilla si banka, shoqëri telekomunikacioni, kompani sigurimi, etj, janë shtrirë edhe në vende të tjera përveçse në Shqipëri. Kjo shtrirje rajonale ka rritur efiçencën e aktivitetit për këto sipërmarrje dhe besoj se ka ndikuar në një çmim dhe cilësi më të mirë shërbimesh për konsumatorët. Natyrisht që kjo e fundit ndikon në shtimin e lidhjeve mes vendeve të rajonit.
4. Biznesi Balkanik Europa & Mesdheu.
Tendenca drejt në ekonomie globale besoj se është e dukshme sidomos në vendet ballkanike. Shkaku mendoj se është nevoja e këtyre vendeve për të përfituar nga përvoja e vendeve me ekonomi të zhvilluar, nevojë e cila ka siguruar afrimin e një numri jo të vogël biznesesh të suksesshme europiane. Këtu mund të përmend disa banka, shoqëri celulare, projekte të përbashkëta infrastrukturore, etj. Synimi i pothuaj gjithë vendeve të Ballkanit për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian ka nxitur dhe përshtatjen e legjislacionit mes këtyre vendeve dhe shteteve anëtare të BE duke krijuar në infrastrukturë dhe klimë të mirë biznesi për shoqëritë Evropiane.
5. Dy fjale per kompanin Grandex. –
Mbi kontributin e dhene ne nxitjen dhe forcimin e bashkepunimit te biznesit.
Personalisht vlerësoj aktivitetet e kompanisë Grandex si një iniciativë e veçantë në këtë drejtim. Besoj se përpos problematikave të tjera, mungesa e lidhjeve dhe nevoja për shkëmbim informacioni dhe të ideve, janë pika më e rëndësishme për shtimin e lidhjeve mes bizneseve të vendeve të rajonit. Nisur dhe nga fakti që suksesi i një sipërmarrjeje relativisht të madhe nuk mund të shihet më vetëm brenda një vendi por në kuadër rajonal atëherë shërbimi i kompanisë Grandex bëhet më i vlefshëm. Duke njohur nivelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare besoj se ky shërbim ka ardhur në kohë e duhur dhe shpresoj të intensifikohet në periudhën në vazhdim.
Saturday, June 12, 2010 9:59 AM
Adriatik Kotorri